Në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 383, datë 19.05.2010, "Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale", i ndryshuar, Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton nisjen e procedurave për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme të cilat janë prekur nga ndërtimet informale.
Procesi i pranimit të kërkesave për kompensim do të fillojë më datë 27.01.2025 dhe do të jetë i hapur pa kufizime kohore. ATP fton të gjithë pronarët e interesuar të aplikojnë për kompensim nëpërmjet portalit e-Albania, në shërbimin online "Aplikim për kompensim në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet informale".
Dokumentacioni i Nevojshëm për Aplikim
Kërkesa për kompensimin e pronës sipas formatit të përcaktuar nga ATP.
Dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, në përputhje me Kodin Civil.
Prokurë e posaçme nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, për të autorizuar tërheqjen e vlerës financiare.
Vërtetim origjinal të hapjes së llogarisë bankare në emër të subjektit përfitues.
Fotokopje të dokumentit të identifikimit.
Mandat pagesa që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit prej 2,000 lekësh.
Në rast se kërkesa e një subjekti nuk është pranuar për shkak të mungesës së dokumentacionit gjatë procedurave të mëparshme, ai ka të drejtë të riaplikojë. Këto subjekte nuk do të paguajnë tarifën e shërbimit nëse kanë provuar pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.
Për më shumë informacion dhe udhëzime të detajuara për aplikim, vizitoni portalin e-Albania dhe ndiqni udhëzimet përkatëse.
Gjithashtu mund te lexoni: Rritja e Çmimeve të Pronave në Shqipëri për Vitin 2024