Të dhënat më të fundit nga INSTAT referuar indeksit te kostos së ndërtimi tregojnë se gjatë periudhës 2025–2026 tregu nuk po përjeton më rritje të forta si më parë, por as nuk po sheh ulje. Në vend të kësaj, kemi hyrë në një fazë të re: stabilizim në nivele të larta kostosh. Çfarë tregojnë shifrat e fundit? Analiza e të dhënave për 2025–fillim 2026 tregon disa sinjale shumë të qarta: • Rritja vjetore e indeksit te kostos se ndërtimit është në nivelin +1.2% me ndryshime të konsiderueshme në shpenzimet për makineri (+2.21% ) dhe shpenzimeve për paga ( +6.02%). • Krahasuar me periudhat e mëparshme, kemi një ngadalësim të dukshëm të ritmit të rritjes Në pamje të parë, kjo mund të interpretohet si një stabilizim pozitiv. Por në realitet: Kostot nuk po bien, ato po konsolidohen në një nivel më të lartë. Faktori që shpesh nënvlerësohet: ndikimi i krizave globale Edhe pse të dhënat aktuale tregojnë stabilizim, ky stabilitet është i ndjeshëm ndaj zhvillimeve ndërkombëtare. Për ta kuptuar këtë, mjafton të bëjmë një paralelizëm me periudhën e luftës Rusi-Ukrainë në të cilën pati rritje të menjëhershme të çmimeve të materialeve, rritje e kostove të energjisë dhe probleme në zinxhirët e furnizimit.Këta faktorë sollën një rritje të fortë të kostove në ndërtim në të gjithë Europën, përfshirë Shqipërinë. Sot, tensionet në Lindja e Mesme krijojnë një rrezik të ngjashëm, edhe pse në një fazë më të moderuar. Pra, ndryshe nga periudha e Ukrainë–Rusi ku ndikimi ishte i menjëhershëm dhe i fortë, situata aktuale po krijon një presion te fshehur, që mund të reflektohet gradualisht në indeks. Nëse tensionet globale intensifikohen, tregu mund të përballet sërish me një valë të re rritjeje kostosh. Në këtë kontekst, ndërtuesit dhe agjencitë po operojnë në një mjedis më kompleks: 1. Presion mbi marzhet e fitimit: Edhe një rritje e vogël e kostove mund të ndikojë ndjeshëm projektet. 2. Rëndësia e likuiditetit: Shitja e shpejtë bëhet kritike për të menaxhuar riskun financiar. 3. Nevoja për planifikim më të kujdesshëm: Vendimet për investim nuk merren më vetëm mbi bazën e kërkesës, por edhe mbi analizën e kostove dhe riskut global.