image

Qeveria prezanton taksë të re për apartamentet me qira ditore

  • svg Legjislacion
  • Admin
  • svg

Qeveria shqiptare po ndërmerr hapa për formalizimin dhe rritjen e të ardhurave nga sektori i turizmit, përfshirë vendosjen e një takse të re për apartamentet me qira ditore. Kjo taksë do të fillojë me një tarifë vjetore prej 20 euro për çdo shtrat në fazën e parë, dhe pritet të rritet në 50 euro për shtrat në faza të mëvonshme.

Kjo masë synon monitorimin dhe formalizimin e të ardhurave nga sektori i turizmit, të cilat shpesh nuk deklarohen. Për të mbikëqyrur zbatimin e taksës dhe për të frenuar ekonominë informale, do të krijohet një task-forcë e dedikuar.

Sipas Ministrisë së Turizmit, në vitin 2023 janë regjistruar mbi 18,200 njësi me qira afatshkurtër në platformat e njohura si "Booking" dhe "Airbnb", duke numëruar rreth 176,000 shtretër në total. Qeveria pret që nga taksa e re të grumbullojë rreth 14.4 milionë euro deri në vitin 2030.

Ndërkohë, të ardhurat nga taksat e fjetjes në hotele pritet të arrijnë në 70.5 milionë euro në vitin 2030, nga 22 milionë euro aktuale. Në total, masat e reja fiskale dhe formalizimi i sektorit të turizmit pritet të gjenerojnë deri në 85 milionë euro në arkën e shtetit çdo vit.

Ministria e Turizmit po zhvillon gjithashtu një strategji të re që përfshin krijimin e një platforme për regjistrimin në kohë reale të turistëve dhe netëve të qëndrimit, me synim që të ardhurat nga turizmi të arrijnë në 6.6 miliardë euro në vitin 2030.