image

LAJM I FUNDIT/ Kredi për blerjen e banesave me 0% dhe 3% interes, qeveria synon financim pa parapagim

  • svg Information
  • svg

Qeveria shqiptare po përgatit dy skema të reja kreditimi të lehtësuar për blerjen e banesave, të cilat parashikohet të zbatohen gjatë vitit 2027, me synim rritjen e mundësive të qytetarëve për të siguruar një banesë.


Skema e parë parashikon dhënien e deri në 2 mijë kredive me vlerë maksimale 6 milionë lekë dhe me interes 0%. Interesat do të mbulohen plotësisht nga buxheti i shtetit, ndërsa qytetarët do të paguajnë vetëm principalin e kredisë.


Skema e dytë parashikon financim deri në 200 mijë euro, me një normë interesi fikse prej 3% për përfituesit. Diferenca ndërmjet kësaj norme dhe interesit të përcaktuar nga bankat do të subvencionohet nga shteti.


Një nga risitë kryesore të këtyre programeve është mundësia e përfitimit të kredisë pa parapagim, duke synuar financimin e plotë të blerjes së banesës.


Detajet e dy skemave janë diskutuar gjatë një takimi mes ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe përfaqësuesve të bankave të nivelit të dytë.


Gjithashtu, po shqyrtohet mundësia e përfshirjes së Bankës Shqiptare të Zhvillimit si garantuese e një pjese të financimit, si dhe ndryshimet ligjore që do të mundësonin përdorimin si kolateral të banesave ende në ndërtim.


Kushtet përfundimtare, kriteret e përfitimit dhe modalitetet e aplikimit mbeten për t’u përcaktuar në vijim, pas konsultimeve me sektorin bankar.


Burimi: Ekofin  https://ekofin.al/kredite-per-shtepi-deri-ne-6-mln-leke-me-interes-zero-dhe-deri-ne-200-mln-leke-me-interes-3/