Qeveria ka përgatitur një projektligj “Për taksën mbi
pasurinë e paluajtshme” që do të ndikojë tek të gjithë qytetarët kanë në
pronësi banesa. Pronarët e
apartamenteve, dyqaneve, garazheve, bodrumeve, fabrikave nga ky vit do të nisin
të paguajnë më tepër për taksën e ndërtesës. Detyrimet do të shtohen nga
shtrenjtimi i çmimeve të referencës së apartamenteve mbi të cilat llogaritet
vlera e taksës.
Drafti propozon që niveli i taksës për ndërtesat e
kategorisë rezidenciale të variojë nga 0,1% deri në 0,2% nga 0,05% që është
aktualisht, për ndërtesat tregtare nga 0,15 deri në 0,25% nga 0,2% që është dhe
për ndërtesat bujqësore dhe industriale niveli i taksës varion nga 0,15 deri
0,25%.
Me ndryshimet e reja ligjore ata që do të paguajnë më shumë
sipas burimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë janë pronarët që kanë
një shtëpi të dytë, pasi për çdo familje që zotëron vetëm një shtëpi drafti
parashikon zbritje 50% të vlerës së pronës, por jo më shumë se pragu maksimal i
përcaktuar sipas kategorive të bashkive.
Drafti i ri parashikohet të hyjë në fuqi nga 1 janari 2026
për ndërtesat dhe kategoritë, ndërsa për kategoritë që përfshin parcela, tokë
bujqësore dhe truall nga 1 janari 2028.
Të ardhurat e mbledhura nga taksa e pasurisë derdhen për
llogari te Bashkive. Pronat do të ndahen në kategori dhe vlerë, sipas ligjit.
Taksimi do të bëhet jo vetëm për ndërtesat por edhe për parcelat dhe sipas
planit taksa për kategorinë e parë nis nga viti 2026 ndërkohë për të dytën nga
viti tatimor 2028.