image

Inteligjenca Artificiale në leximin e matësve të energjisë, më shumë saktësi dhe më pak gabime në faturim

  • svg Informacion
  • svg

OSHEE Group synon të modernizojë procesin e leximit të matësve të energjisë elektrike përmes Inteligjencës Artificiale, duke rritur saktësinë e të dhënave dhe duke reduktuar gabimet në faturimin e abonentëve.

Përdorimi i teknologjisë po sjell ndryshime edhe në sektorin e energjisë elektrike. OSHEE Group ka planifikuar zhvillimin e funksionaliteteve të reja në Platformën e Matjes, me fokus automatizimin e kontrolleve dhe përmirësimin e procesit të regjistrimit të konsumit.

Një nga risitë kryesore është integrimi i Inteligjencës Artificiale dhe teknologjisë OCR, e cila mundëson njohjen automatike të numrave në fotografitë e matësve. Punonjësit do të fotografojnë matësin gjatë leximit, ndërsa sistemi do të krahasojë vlerën e identifikuar me atë të regjistruar manualisht. Çdo mospërputhje do të sinjalizohet për verifikim të mëtejshëm.

Përveç kësaj, platforma do të përdorë koordinatat GPS për të kontrolluar vendndodhjen, datën dhe orën e leximit, duke ndihmuar në identifikimin e parregullsive. Kontrollet do të përfshijnë edhe analizën e historikut të konsumit, në mënyrë që vlerat jashtë parametrave të zakonshëm të evidentohen si anomali.

Këto mekanizma synojnë të përmirësojnë monitorimin e procesit, të ndihmojnë në identifikimin e humbjeve të energjisë dhe të kufizojnë mundësitë për gabime apo abuzime gjatë regjistrimit të konsumit.

Megjithatë, projekti nuk parashikon zëvendësimin e leximit në terren me matës inteligjentë. Qëllimi është forcimi i kontrollit digjital mbi procesin ekzistues, duke rritur transparencën dhe besueshmërinë e të dhënave që përdoren për faturimin e abonentëve.

Me këtë nismë, OSHEE synon të përmirësojë administrimin e matjes së energjisë elektrike dhe të krijojë një proces më të kontrolluar, më të saktë dhe më efikas për konsumatorët.